Avokati mbrojtës i pilotit Guido Andrea Guidi kërkon që prokuroria të vërtetojë me prova dyshimet se klienti i tij fluturoi drejt Shqipërisë për trafik droge. Avokati i qëndron versionit se Guidi erdhi në Shqipëri për turizëm dhe se gjatë fluturimit avioni pësoi një defekt.
“Tani ky dyshim i arsyeshëm duhet të mbështetet në prova dhe fakte që të vërtetojë pretendimet. Kur të kenë prova konkrete të na vejë në dijeni”, deklaroi avokati Aleksandër Ndreraj.
Por, a është marrë në mbrojtje si bashkëpuntor piloti Guidi?
“Nuk ka ndonjë status, thjesht është në verifikim e sipër. Ne kemi dhënë deklarimet paraprake në lidhje me incidentin që ka pasur avioni dhe klienti ka deklaruar që në momentin e parë që avioni ka pësuar një defekt dhe është detyruar të ulet”, vijoi Ndrejaj.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të përgjigjeve që duhet t’i përcjellin kompanitë celulare, për të konfirmuar me prova nëse ditën e ngjarjes, Guidi ka folur në telefon vetëm me familjarët e tij apo edhe me persona të tjerë në Shqipëri.
Gjithashtu përgjigje priten edhe nga zyra e incidenteve ajrore për të përcaktuar shkaqet se përse u rrëzua avioni “Pipper” në pistën e improvizuar në grykëderdhjen e Ishmit, por edhe nga kapiteneria e Durrësit të cilës i kërkohet të informojë organin e akuzës nëse kanë qarkulluar mjete lundruese atë ditë.