Site icon Telegrafi

Piloti i kapur nga Pakistani kthehet në Indi

Një pilot indian, i kapur nga forcat pakistaneze më 27 shkurt, pasi aeroplani i tij është rrëzuar në rajonin e kontestuar të Kashmirit, është kthyer sërish në Indi, pasi është liruar nga Islamabadi.

Abhinandan Varthaman ka kaluar në Indi përmes pikës Wagah më 1 mars, disa orë me vonë sesa që ishte planifikuar procedura fillestare e dorëzimit.

Lirimi i Varthaman ka ardhur një ditë pasi kryeministri pakistanez, Imran Khan ka bërë këtë njoftim, në një fjalim parlamentar më 28 shkurt.

Ushtria e Pakistanit ka thënë se forcat ajrore kanë rrëzuar dy aeroplanë të flotës ajrore indiane dhe kanë kapur një pilot më 27 shkurt, në zonën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani.

India ka konfirmuar humbjen e një aeroplani dhe hapjen e pilotit të saj. Ky shtet po ashtu ka thënë se ka penguar sulmin e aeroplanëve pakistanezë dhe ka rrëzuar një aeroplan të Islamabadit.

Pakistani në anën tjetër ka mohuar që një aeroplan i saj të jetë rrëzuar, përcjell rel.

Tensionet në mes të Islamabadit dhe Nju Delhit janë rritur prej 14 shkurtit, kur një sulm vetëvrasës ka lënë të vdekur të paktën 41 trupa indiane në Kashmirin me shumicë myslimane.

Grupi militant, Jaish-e-Mohammad (JeM) ka marrë përgjegjësinë për sulmin në forcat indiane të sigurisë, më 14 shkurt.

India ka thënë se fqinji i saj ka pasur “dorë të drejtpërdrejtë” në sulm dhe ka akuzuar atë për ofrim të strehimit të militantëve.

Islamabadi në anën tjetër ka mohuar përfshirjen.

India, fuqi bërthamore dhe Pakistani në anën tjetër kanë luftuar për Kashmirin prej kur kanë fituar pavarësinë e tyre nga Britania më 1947.

Exit mobile version