Gjatë javës së kaluar është rrëzuar një aeroplan në Pakistan me ç’rast kanë humbur jetën 97 persona, e duket se barrën më të madhe për këtë do të duhej ta barte piloti.
Ai i ishte afruar me fluturake aeroportit të Karachit, duke mos lajmëruar se nuk po mund të ulë disa pjesë të krahëve të aeroplanit që ndihmojnë për aterim, duke goditur tri herë pistën, ka bërë të ditur ministri pakistanez, transmeton Telegrafi.
Hetuesit në rrënoja të aeroplanit pakistanez Air Bus A320 që ishte rrëzuar në një zonë të banuar në Karachi, kanë gjetur një incizim të bisedës në kabinën e pilotit, ka konfirmuar zëdhënësi i aviokompanisë.
Kujtojmë që rrëzimit të aeroplanit i kanë mbijetuar dy persona, kurse fluturimi PK83030 që po vinte nga pjesë e Lahores në lindje, është rrëzuar gjatë tentimit të dytë për të ateruar në pistë. Në vend të ngjarjes është gjetur edhe kutia e zezë.
Në anën tjetër, ministri i Aviacionit Civil, Gulam Sarvar Kan, ka deklaruar para gazetarëve se motorët e aeroplanit kishin prekur tri herë pistën gjatë tentimit të parë për të ateruar.
“Piloti nuk kishte lajmëruar se pajisjet e tij për aterim nuk po hapen. Motorët kanë prekur tri herë pistën”, ka shtuar Kan.
“Të gjitha gjurmët janë aty (në pistë). Nuk ka qenë në lartësinë e duhur… Kulla e kontrollit e kishte informuar se nuk është në lartësinë e duhur dhe se duhet të zbret më poshtë”, ka thënë ai duke shtuar se piloti i është përgjigjur kullës me një fjalë “do t’ia bëjë disi”.
Sipas informatave të publikuara në ueb-faqen liveatc.net që trajton ekskluzivisht lajme për avio-komunikimin, piloti u ka thënë kontrollorëve “tani jemi të sigurtë” derisa po tentonte të zbriste, por ky paralajmërim shumë ekspertë i ka lënë të habitur.
E pasi që motorët kanë goditur pistën në tentimin e parë të dështuar për aterim, piloti i ka raportuar problemet që i kishte në ruajtjen e lartësisë, dhe më pas ua ka bërë të ditur se të dy motorët e fluturakes nuk po punonin.
Hetuesit tani janë duke analizuar nëse motorët janë dëmtuar gjatë përplasjes në pistë. Në pjesën e poshtë të motorëve gjenden pjesët më të rëndësishme të fluturakes, pjesa nga ku ndizet fluturakja dhe pompat hidraulike.
Motorët ishin prodhuar nga CFM International, kompania francezo-amerikane me bashkëpronësi të Safran dhe General Electric, dhe futen në listën e motorët që më së shpeshti përdoren në këtë industri dhe janë të njohur për sigurinë që e ofrojnë gjatë punës.
E kutinë e zezë pritet ta verifikojë BEA, agjencia për fatkeqësi ajrore në Francë që merret ekskluzivisht me hetimin e këtij aksidenti në Pakistan.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se është ende herët të thuhet se çfarë e ka shkaktuar aksidentin, duke bërë të ditur se shumica e aksidenteve ndodhin për shkak të shumë faktorëve. /Telegrafi/