Qershitë nuk do të jenë edhe për shumë kohë në treg prandaj, nëse nuk keni provuar ende të realizoni me to një recetë të kripur, është koha e duhur!
Përbërësit:
▪ 500 gr oriz
▪ 100 gr gjalpë
▪ gjysmë qepe të prerë imët
▪ gjysmë gote verë të bardhë
▪ 1 lt lëng mishi (mund të jenë kocka të ziera)
▪ 400 gr qershi të pastruara dhe të prera përgjysmë
▪ kripë, piper
Përgatitja:
Shkrijmë në zjarr të ngadaltë gjalpin dhe shtojmë aty qepën e grirë imët; e lëmë në zjarr derisa të zverdhet duke e përzierë vazhdimisht.
Shtojmë orizin duke vijuar përzierjen derisa të thithë të gjithë gjalpin. Në këtë moment, ngremë flakën dhe e shuajmë orizin me verën e bardhë dhe e lëmë të avullojë.
Më pas shtojmë dy garuzhde lëng mishi të vluar, gjithmonë duke e përzierë deri sa të avullojë.
Shtojmë qershitë e pastruara dhe dy garuzhde të tjera me lëng mishi. Shtimi i lëngut bëhet gradualisht, në varësi të zierjes.
Kur të jetë gati, e heqim nga zjarri, e spërkasim me gjalpë, kripë e piper dhe e lëmë të rrijë 5 minuta përa se ta konsumojmë.
Receta u përgatit nga Alma Verushi