Telegrafi

Pikturat e Pikasos që qëndruan për dy dekada të varura në një restorant janë shitur për më shumë se 100 milionë dollarë

Njëmbëdhjetë piktura të Pikasos dhe vepra të tjera që ndihmuan në shndërrimin e Las Vegasit në një destinacion për artin u shitën në ankand të shtunën për më shumë se 100 milionë dollarë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ankandi i Sotheby u mbajt në hotelin Bellagio në Las Vegas.

Veprat thuhet se ishin ekspozuar prej dy dekadash dhe shitja e tyre u zhvillua para ditëlindjes së 140-të të artistit spanjoll më 25 tetor.

Pesë nga pikturat ishin varur në muret e restorantit të bukur të Bellagio, Picasso ndërkohë që restoranti do të vazhdojë të shfaqë 12 vepra të tjera të Pikasos.

Siç vënë në pah mediat, çmimi më i lartë u arrit nga piktura e vitit 1938 “Femme au beret rouge-orange” e dashnores dhe muzës së Picasso, Marie-Therese Walter, e cila u shit për 40.5 milionë dollarë, rreth 10 milionë dollarë mbi vlerësimin e lartë të para-shitjes.

Portretet në shkallë të gjerë “Homme et Enfant” dhe “Buste d’homme” u shitën përkatësisht për 24.4 milionë dollarë dhe 9.5 milionë dollarë, ndërsa veprat më të vogla në qeramikë, si “Le Dejeuner sur l’herbe” e cila u shit për 2.1 milionë dollarë, u shitën për tre ose katër herë nga vlerësimi i tyre para shitjes.

Sidoqoftë, emrat e blerësve nuk janë bërë të ditur.

Shitja e së shtunës ishte pjesë e një oferte nga grupi i kazinove dhe hoteleve MGM Resorts për të diversifikuar më tej koleksionin e saj të gjerë për të përfshirë më shumë art nga gratë, njerëzit me ngjyrë dhe kombet në zhvillim, si dhe nga artistët LGBTQ dhe artistët me aftësi të kufizuara. /Telegrafi/