Portreti që artisti i bëri Marie Therese Walter, e njohur edhe si muza e artë e tij, “u rrëmbye” për 49.8 milionë funta (rreth 56 milionë euro) në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” të Londrës, çmimi më i lartë në ankand për një pikturë të shitur ndonjëherë në kontinentin e vjetër.
Kryevepra e vitit 1937 nuk ishte shitur kurrë më parë në treg, por ka qenë pjesë e një koleksioni privat.
“Femme au beret et a la robe quadrillee” u realizua në të njëjtën kohë me të famshmen “Guernica”.
Thomas Bompard, kreu i sektorit të artit impresionist e atij modern në “Sotheby’s”, e cilësoi pikturën në vaj si njërin prej portreteve më të jashtëzakonshme të Picasso, për të cilin ka rënë këto vitet e fundit çekiçi i ankandit.
Marie Therese ishte një nga dashuritë më të mëdha të piktorit, në jetën e të cilit po hynte edhe një grua tjetër, Dora Maar. E në këtë pikturë, sipas shpjegimit të “Sotheby’s” reflektohet qartazi stili i Picasso me një lloj frymëzimi që buron nga të dyja muzat e tij, të cilat arrijnë shprehjen maksimale në siluetën e tjetrës. /TCH/