Piktura e një gruaje të ulur pranë dritares, e punuar nga Pablo Picasso, u shit të enjten për 103.4 milionë dollarë, në një një ankand të organizuar nga Christie’s në Nju-Jork.
Pëlhura e përfunduar në vitin 1932, u shit pas më shumë se 19 minutash “luftimesh” midis koleksionistëve, transmeton Telegrafi.
Vepra që paraqet zonjën dhe muzën e Picassos, Marie-Thérèse Walter, gati dyfishoi vlerësimin fillestar nga Christie’s për 55 milionë dollarë.
Pesë vepra të piktorit spanjoll tani kanë kapërcyer pragun simbolik prej 100 milionë dollarëve. Më e shtrenjta është “Gratë e Algjerit” që mban rekordin me 179.4 milionë dollarë nga maji i vitit 2015. Vetëm 14 piktura kanë tejkaluar shumën e 100 milionëve dollarëve në një ankand.
Përveç Picassos, artisti italian Amedeo Modigliani është i vetmi në listë me më shumë se një pikturë. /Telegrafi/