Telegrafi

Piktorja Shpresa Tolaj Gjonbalaj, pjesë e një ekspozite kolektive në Dubai

Në mesin e 75 artistëve nga 75 vende të ndryshme te botës, piktorja Shpresa Tolaj Gjonbalaj ditë më parë ishte e vetmja shqiptare në ekspozitën artistike “International Women Art Exhibition”, të mbajtur në Grand Gallery, nën organizimin e Zee Art dhe nën patronazhin e Sheikh Butti Al Maktoumit të familjes mbretërore të Dubait.

“Të gjitha shtetet që ishin përfaqësuar në këtë ngjarje kishin dërguar ambasadorët e ngarkuar me punë në Emiratet e Bashkuara, për t’i përkrahur artistët që përfaqësonin shtetin e tyre”, thotë Tolaj Gjonbalaj, që më parë ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive në Itali, Kinë, Gjermani, Marok, Holandë, Angli, Indi etj.

“Arti është gjuhë universale. Përmes shprehjes artistike, kushdo mund ta kuptojë atë – pavarësisht, racës, religjionit, gjinisë e moshës. Koncepti në këtë ekspozitë dhe orientimi i formave artistike ishte drejt artit abstrakt. Pavarësisht ideve të ndryshme, ngjyrave dhe filozofisë individuale që përbënin esencën e veprave, artistët komunikonin nëpërmjet gjuhës së ngjyrave”, shton Gjonbalaj.