Telegrafi

Piktori i njohur, Naim Spahiu prezanton ekspozitën “Prapa perdes, fshihen perde të tjera”

Në hapësirat e ngrohta të Galerisë Open Art, piktori i njohur Naim Spahiu, ka paraqitur ekspozitën e tij të titulluar “Prapa perdes fshihen perde të tjera”.

Titulli i ekspozitës ndihmon të kuptuarit e konceptit, po aq sa dyzon publikun në përceptime të tjera të perdes, mes nocionit të një tekstili të varur dhe nocionit të një muri, të një kufiri.

Pikturat e Naim Spahiut, përcjellin një metaforë të fuqishme transmaterializimi, ku materiali në pikënisje është pra i modeluar nga koha ku artisti më pas zhytet për të na dhënë një lexim tjetër, metaforik, i cili më pas transformohet në një material krejtësisht tjetër, i gjuhës piktorike.

“Është një punë shumëvjeçare, një angazhim dyvjeçar. Që mua më shtyu të hulumtojë, normalisht ai hulumtim i ka edhe sfidat e veta, por megjithatë i ka edhe ato peripecitë ose ato kënaqësitë që artisti i din me i kanalizu edhe në një farë mënyre mundohet pak a shumë me sjellë vlera të cilat nuk janë të përsëritura dhe kështu që ky prezantim i sotëm vjen si rrjedhojë e konceptit shumëvjeçar që kom pas në punimet e mia artistike që është “Time Swimmers”. E kjo nënkupton që në këtë botë ku jetojmë e veprojmë, lindim, rritemi, kemi sfidat tona, duhet të jemi notues të mirë që të profilizohemi, në vepra në profesione të ndryshme që thjeshtë ato të kanë rezultat, që ne të lëmë gjurmë”, tha Spahiu në hapjen e ekspozitës.

Kjo ekspozitë synon të shkrijë më tej kufijtë midis hapësirës publike dhe private, duke angazhuar komunitetin lokal në një dialog të hapur dhe të sinqertë për ndikimin e artit, politikës, pushtetit, shoqërisë në tema akute për periferitë e qyteteve- tema si homologimi kultural, gentrifikimi, nacionalizmi, migrimi, etj. /Telegrafi/