Site icon Telegrafi

Pikë në fund të fjalisë? Një studim kundërshton gramatikën

Një studim i kryer nga “Binghamton University” në Nju-Jork u jep të drejtë pikërisht personave që nuk e mbyllim fjalinë siç e përcakton gramatika.

Sipas studimit, pika në fund të fjalisë mund të perceptohet nga marrësi si shenjë indiference apo mungese sinqeriteti, përcjell Shekulli.

Studiuesit kanë kryer një eksperiment me 126 studentë, të cilëve u është kërkuar të shkëmbejnë 16 mesazhe telefonike. Ata duhej që t’u përgjigjeshin mesazheve të shokëve me një fjalë të vetme.

“Do të dalësh me mua?” ishte një prej pyetjeve. Kur përgjigjja ishte me pikë në fund, perceptimi i marrësit ndryshonte.

Studiuesit thonë se shenjat e pikësimit kanë një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin e lidhur ngushtë me teknologjinë (kompjuter, celular e smartfon), por rregullat duket se kanë ndryshuar.

“Kur shkruhen mesazhe, automatikisht mund të hiqen disa sinjale që ne i lëshojmë gjatë bisedës ballë për ballë, – shpjegon studiuesja Celia Klin. – Kur flet me dikë, transmeton informacione shtesë përmes shikimit, shprehjes së fytyrës, tonit të zërit, pauzave mes fjalëve etj. Por në komunikimin me mesazhe, këto mekanizma dalin jashtë loje. Në vend të tyre hyjnë “mjete rrethanore” si: ikonat emoticon apo edhe shmangia në disa raste e shenjave të pikësimit”.
 

Exit mobile version