Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier kanë fituar Çmimin Nobel të fizikës 2023 për “metodat eksperimentale që gjenerojnë pulse drite attosekondë për studimin e dinamikës së elektroneve në materie”, thotë organi që jep çmimin.
Çmimi, i cili është shpallur në kryeqytetin suedez Stokholm të martën në mëngjes, është Nobeli i dytë i sezonit pas Çmimit Nobel 2023 për Mjekësi të shpallur të hënën.
Çmimi në mjekësi u shkoi studiuesve të mRNA, shtetasve amerikanë me origjinë hungareze, Katalin Kariko dhe Drew Weissman, për teknologjinë e tyre novatore që hapi rrugën për vaksinat kundër COVID-19.
Çmimet për kiminë, letërsinë dhe paqen janë planifikuar të jepen të mërkurën, të enjten dhe të premten në Stokholm, përcjell Telegrafi.
Çmimi për ekonomi do të shpallet më 9 tetor.
Çmimet Nobel u themeluan me “testamentin” e shpikësit dhe filantropit suedez Alfred Nobel në vitin 1895.
Çmimi i Ekonomisë, i krijuar në vitin 1968, është i vetmi Nobel që nuk u përfshi në testament.
Fituesit marrin një diplomë të çmimit Nobel, një medalje ari dhe një çek. Shuma e çekut këtë vit është rreth 1 milion dollarë.
Çdo diplomë është një vepër arti unike, e krijuar nga artistë dhe kaligrafë suedezë dhe norvegjezë.
Laureatët i marrin këto çmime në një ceremoni zyrtare më 10 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së Nobelit. /Telegrafi/