Site icon Telegrafi

Philadelphia triumfon përballë Charlotte Hornets

(Foto: Instagram/sixers)

Philadelphia 76ers vijoi rrugën e fitoreve, duke konsoliduar akoma më tepër pozitat në Konferencën e Lindjes. Franchise nga Pennsylvania mundi 118-111 skuadrën e Charlotte Hornets brenda në Karolinën e Veriut, duke siguruar njëkohësisht edhe fitoren e katërt radhazi, ecuri që vazhdon t’i mbajë 76ers në vendin e parë në Lindje, me 16 fitore e vetëm gjashtë humbje.

Në “Spectrum Center”, në Charlotte, franchise në pronësi të basketbollistit legjendar Michael Jordan zbriti në parket pas tri fitoreve rresht dhe e nisi takimin menjëherë me një 4-0 të shpejtë. Miqtë realizuan pesë pikë radhazi për të gjetur avantazhin e parë të ndeshjes, ndërsa skuadra e James Borregos mori sërish kryesimin në shifrat 7-5, me një sulm për tre. Ky ishte edhe rasti i fundit kur vendasit e panë veten në epërsi, sepse që nga ai moment basketbollistët e Philadelphias hynë në ritëm dhe udhëhoqën deri në fund takimin.

Avantazhi më i madh i 76ers fluturoi deri në +26, në rezultatin 60-34, ndërsa në interval dy skuadrat shkuan me epërsinë e miqve me shifrat 64-42. Hornets u treguan të pafuqishëm dhe miqtë e kontrolluan më së miri ndeshjen, duke e mbajtur në distancë sigurie ‘franchisen’ nga Karolina e Veriut – transmeton SuperSport.

Në fund 76ers hoqën këmbën nga gazi dhe vendasit përfituan për të ngushtuar diferencën, gjithsesi ekipi i Philadelphia-s mbylli takimin me rezultatin 118-111, për të regjistruar edhe fitoren e 14-të radhazi në përballjet ndërmjet tyre, në një ndeshje ku spikati përsëri sulmuesi nga Kameruni Joel Embiid që e mbylli mbrëmjen me 34 pikë e 11 rebound, në diçka më pak se 34’ që qëndroi gjithsej në parket.

Nëse në klasifikimin e përgjithshëm të 15 skuadrave të Konferencës së Lindjes, Phila kryeson me tri fitore më shumë se sa Milwaukee Bucks, në Divizionin e Atlantikut 76ers kanë vetëm dy fitore më tepër se Brooklyn Nets i treshes Kevin Durant – Kyrie Irving – James Harden, që sidoqoftë ka zhvilluar një ndeshje më shumë deri në këtë fazë të regular season.

Ekipi i drejtuar nga kanadezi Steve Nash e kishte pushim, kështu që radhën për të luajtur e patën pikërisht basketbollistët e franchiset nga Wisconsin. Bucks dominuan takimin, duke udhëhequr nga fillimi në fund ndaj Indiana Pacers, që pësuan humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit. Në “Fiserv Forum”, pranë fundit të periodës së tretë, basketbollistët e ekipit të drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer prekën përkohësisht edhe epërsinë e 36 pikëve, teksa kryesuan 106-70, gjithsesi në fund Milwaukee mbylli takimin me fitoren e thellë 130-110.

MVP i dy sezoneve të fundit, Giannis Antetokounmpo e përfundoi takimin me triple – double, 21 pikë, 14 topa të rikuperuar e 10 asisti në vetëm gjysmë ore lojë, sidoqoftë në krahun tjetër 24-vjeçari nga Lituania, Domantas Sabonis, e mbylli sfidën me 33 pikë e 12 topa të rikuperuar për skuadrën nga Indianapolisi, që me këtë humbje mbetet në vendin e dytë në Divizionin Qendror në Lindje, me një fitore më pak dhe një ndeshje më shumë krahasuar me Milwaukee-n.

Vijuan formën e tyre të mirë edhe Los Angeles Clippers, që regjistruan fitoren e 11-të në 13 sfidat e fundit, teksa mposhtën 121-99 brenda në Ohio ekipin e Cleveland Cavaliers. Në “Rocket Mortgage FieldHouse” vendasit u mbajtën vetëm për një pjesë loje, pasi në gjysmën e dytë të ndeshjes basketbollistët e franchise-t kalifornian u shkëputën ndjeshëm për të fituar krejt takimin me plot 22 pikë diferencë.

Spikatën tek ekipi i drejtuar nga trajneri Tyronn Lue Paul George dhe Kawhi Leonard, që e mbyllën mbrëmjen respektivisht me nga 36 e 24 pikë secili, ndërsa te vendasit ra në sy Collin Sexton me 27 pikë. Me këtë triumf Clippers morën kontrollin në Divizionin e Paqësorit me 17 fitore e 6 humbje, ndërsa Lakers pozicionohen në vendin e dytë me bilancin 16 fitore e 6 humbje, ndërkohë në renditjen e përgjithshme të Konferencës së Perëndimit, Utah Jazz vazhdojnë të kryesojnë, me 16 fitore e pesë humbje, për shkak të përqindjes më të lartë krahasuar me dy ekipet nga Los Angelesi.

Exit mobile version