Telegrafi

Pfizer për Telegrafin: Dorëzimi i vaksinave të para kundër COVID-19 në Kosovë do të fillojë në fund të qershorit

Kompania e Pfizer e cila ka lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës lidhur me furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 ka thënë se dorëzimi i tyre do të fillojë në fund të muajit qershor.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin vet kompania, duke shtuar se dorëzimi i vaksinave te Qeveria e Kosovës do të vazhdoj për gjatë tërë vitin 2021.

“Pfizer dhe BioNTech ndihen të privilegjuara që furnizojnë Qeverinë e Kosovës me doza të vaksinës BNT162b2 COVID-19 mRNA. Dorëzimi i tyre do të fillojë në fund të muajit qershor dhe do të vazhdojë për gjatë gjithë vitit 2021, në përputhje me kushtet e marrëveshjes së furnizimit. Detajet specifike në marrëveshje, përfshirë oraret e dorëzimit vazhdojnë të mbeten konfidenciale”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Telegrafin.

Kujtojmë se në fund të muajit maj, gjiganti farmaceutik kaishte konfirmuar marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19.

Ndërsa, më 28 maj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ishte shprehur se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1 milion e 213 mijë e 290 doza të vaksinës të kësaj kompanie.

Kosova javë më parë ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 160,410 doza të vaksinës. Kurse, deri më sot 32,975 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /Telegrafi/