Site icon Telegrafi

Pfizer: Nuk dihet nëse personat e vaksinuar mund ta transmetojnë coronavirusin tek të tjerët

Kryetari i Pfizer, Albert Bourla, tha se nuk dihet nëse njerëzit e injektuar me vaksinën e kompanisë do të jenë akoma në gjendje të përhapin coronavirusin tek njerëzit e tjerë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Bourla theksoi se duhet të bëheshin studime të mëtejshme për të parë nëse dikush i vaksinuar mund të transmetonte ende virusin tek dikush tjetër.

“Unë mendoj se kjo është diçka që duhet të shqyrtohet. Ne nuk jemi të sigurt për këtë tani, me aq sa kemi informata”, u shpreh Bourla duke iu përgjigjur pyetjes nëse një person i injektuar mund ta transmetojë virusin.

Pfizer dhe BioNTech njoftuan muajin e kaluar se vaksina e tyre ishte 95 për qind efektive në parandalimin e COVID-19.

Ditë më parë, shefi kryesor mjekësor i Moderna-s, Tal Zaks, pati thënë se vaksina e kompanisë mund të ndihmojë dikë të mos sëmuret apo edhe të mos sëmuret rëndë nga COVID-19, mirëpo që nuk e parandalon transmetimin e virusit.

“Rezultatet nuk tregojnë se do t’ju pengojnë juve të infektoni të tjerët”, pati deklaruar Zaks, në një intervistë për Axios. /Telegrafi/

Exit mobile version