Telegrafi

Pezullohet votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore, Konjufca do t’i drejtohet Komisionit të Venecias

Votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

Pas kërkesave të opozitës kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se do t’i drejtohet për opinion këtij Komisioni.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë votuar për pezullimin e afateve të parapara me rregulloren e kuvendit lidhur me këtë projektligj, deri në një njoftim të radhës.

“Në linjë të zotimit të kryetarit votimi në parim për këtë projektligj do të ndodh pas kthimit të përgjigjes ose opinionit nga komisioni i Venedikut”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Seanca e re e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 14:15 ku në rend dite, ndër të tjera, është edhe debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi si dhe shqyrtimi i parë i Projekt-kodit Civil të Republikës së Kosovës.