Site icon Telegrafi

Pezullohet reforma arsimore në dy shkolla në Kamenicë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, kanë bërë të ditur se janë pajtuar që përkohësisht të pezullohet reformën e nisur në këtë komunë në mënyrë që të rikthehet normaliteti në shkolla.

Kështu u bë e ditur në një konferencë të përbashkët mes ministres Bajrami dhe kryetarit Kastrati.

“Qysh në ditët e para kemi takuar kryetarin dhe këshillin e prindërve dhe ju e dini se situata nuk është aspak e këndshme megjithatë ne kemi konsultuar zyrtarë ligjor. Ju e dini se ditëve të fundit kemi pasur takime me kryetarin që ta arrijmë marrëveshje dhe që nxënësit të kthehen në mësime. Ne kemi si obligim që të krijojmë kushte për nxënës. Një formë e reformës jemi pajtuar që të ngadalësohet dhe të rikthejmë në normalitet Kamenicën”, ka pohuar ministrja Bajrami.

Kurse, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, deklaroi se janë pajtuar që në shkolla të pezullojnë reformën.

“Ne kemi arrit së bashku ku e kemi paraparë që disa shkolla të Kamenicës që ta pezullojmë reformën. Në Kamenicë e kemi gjendje dobët ndërmjet nxënësve dhe mësuesve dhe kjo ka bërë që ta marrim këtë iniciativë për reforma. Pezullimi ka të bëjë me fshatrat Topanicë dhe Koretinë”, ka pohuar ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version