Industria automotive në Shqipëri po has vështirësi, prej vonesave që kanë krijuar tërmetet që goditën Turqinë. Disa prej fabrikave të prodhimit të pjesëve në zonat e prekura kanë pezulluar punën, duke detyruar ngadalësimin e proceseve edhe në vendin tonë.
“Ne kemi shumë bashkëpunëtorë në Turqi dhe kryesisht furnizimit i marrim nga aty. Impakti i parë ishte tronditës… të gjithë na çonin foto e video dhe pavarësisht se ne kishim shumë projekte, deri më tani ende nuk kemi pyetur nëse janë gati. Megjithëse ne na pengojnë shumë te puna, e mirëkuptojmë situatën pasi është njerëzore në këtë tragjedi që po kalojnë”, thotë përfaqësuesja e një kompanie automotive, Manjola Kasneci.
Dhe zinxhiri i vonesave si pasojë e fatkeqësisë në Turqi, efektet i shtrin edhe më tej. Këto dy zjarre-fikse të porositura për Maqedoninë e Veriut do duhet të presin ende për të qenë gati.
“Kemi edhe kamionin e madh zjarrfikës aty depozita do të jetë normalisht më e madhe. Presim ardhjen nga Turqia se ndryshe nuk bëjmë dot asgjë”, shton Kasneci.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se çdo vit e më shumë Turqia po pozicionohet në krye të listës së vendeve nga ku importohet lënda e parë për industrinë automotive në vend. Vitin e shkuar vetëm importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit arritën në 105 milionë euro, duke gati u 2-fishuar në raport me 2019-n.
“Shpresojmë që të mos jetë kohë e gjatë për ardhjen e furnizimeve të tjera sepse të gjitha këto projekte kanë një afat se kur duhet të dorëzohen. Okej, është edhe e mirë-kuptueshme pasi shkaqet natyrore shërbejnë si arsye për të shtyrë kontratat, por ne na dëmtosh vërtetë shumë pasi pa lëndën e parë nuk mund të vazhdojë puna”, vijon Kaneci.
Vitin e shkuar Shqipëria importoi 1.6 miliardë euro makineri dhe pjesë këmbimi si pasojë e rritjes së kërkesave nga industria automotive në vend. Importet nga Turqia zunë 7.6 për qind të totalit./A2 CNN