Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, njofton se ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pacaktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.
Në njoftimin për media thuhet se në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arrite marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare.
“Me Administratën Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Bordi i përkohshëm i Drejtorëve, i falënderon të gjitha palët në proces, e sidomos Qeverinë dhe Ministrinë e linjës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për përkushtimin që të mbështes Telekomin e Kosovës por edhe të njoh dhe mbrojë edhe interesat e kreditorëve të kësaj kompanie publike, të cilët duke treguar mirëkuptim, po bëhen pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit.
“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, i emëruar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, siguron për përkushtimin e vet, të punojë pa paragjykime dhe me durim, me të gjitha palët në këtë proces, pra Telekomin e Kosovës dhe me kreditorët e shumtë të cilët kanë interes që kompania të konsolidohet plotësisht. Në këtë proces Bordi është i fuqizuar me përkrahjen e pakursyer të aksionarit, pra Ministrisë së linjës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.