Telegrafi

Pezullohet nga detyra gjyqtari Lekë Prenaj, keqpërdori detyrën zyrtare

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), sot ka pezulluar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Themelore, Lekë Prenaj, pasi të njëjtit i është ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

KGjK përmes një njoftimi për media bën të ditur se pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit mori vendim për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Prenaj, deri në përfundim të procedurës penale

“KGjK nën udhëheqjen e Kryesuesit Skender Çoçaj, përmes platformës online mbanë takimin e jashtëzakonshëm me të vetmen pikë të rendit të ditës: Njoftimi i Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për ngritjen e aktakuzës ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj, për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë. Këshilli pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit mori vendim për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Prenaj deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i vendosur dhe i përkushtuar të përkrahë organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit në procedurat e mëtutjeshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe luftimit të dukurive negative. /Telegrafi/