Telegrafi

Pezullohen rreth 60 milionë euro ndëshkime të bizneseve

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, gjatë një konference të mbajtur për shtyp, tha se qëllimi i këtij vendimi është që të krijohen lehtësira për bizneset që t’i paguajnë borxhet tatimore.

“Qëllim tjetër ka qenë edhe dhënia e mundësisë për bizneset që ato të bëhen të rregullta në kryerjen e obligimeve të tyre tatimore, si dhe të bëhet vënia e theksit në respektimin e ligjit dhe rendit, veçanërisht respektit për ligjet tatimore të Kosovës”.

Kreu i MEF-it, po ashtu ka thënë se vendimi i qeverisë për pezullimin e ndëshkimeve është shansi i fundit që bizneset të kryejnë obligimet e tyre ndaj ATK-së.

"Qeveria e Kosovës po bën përpjekje që ta krijojë një ambient sa më joshës, sa më konkurrues dhe sa më lehtësues për bizneset e Kosovës dhe për bizneset ndërkombëtare që dëshirojnë të vijnë të investojnë dhe tregtojnë në Republikën e Kosovës”.

Ndërsa, Naim Fetahu, drejtor i ATK-së, tha se do ta zbatojnë vendimin e Qeverisë për heqjen e ndëshkimeve dhe se për këtë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Prej vitit 2000-2008 bizneset kanë krijuar borxhe të mëdha ndaj ATK-së, kështu që shuma e përgjithshme arrin në 107 milionë e 704 mijë e 220 euro, ose 44% nga tatimi i përgjithshëm. Prej kësaj shume, 59 milionë e 720 mijë e 615 euro janë shuma e ndëshkimeve, apo 24.47% e tërë borxhit.

Ndërkaq, gjithsej borxhet tatimore, duke i llogaritur edhe ndëshkimet me mbi 59 milionë euro dhe interesat prej 73.963.692 euro, totali i borxheve tatimore arrin në 241 milionë e 406 mijë e 834 euro. /Telegrafi/