Pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 Rihter, që goditi vendin tonë, operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijoi edhe sot nën rrënojat e hotel Mira Mare.
Në këtë pikë pas pak pas mesnate u nxorën edhe dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.
Në rrënojat e hotel Mira Mare dyshohet se gjendet ende një trup. Fillimisht punimet u ndërprenë por më pas një grup kroat bëri kërkime me qen nuhatës, ku mesa duket kanë dhënë sinjal për një tjetër poshtë rrënojave.
Grupet që zhvilluan kërkimet gjithë ditën tek hotel Mira Mare ishin ato të Serbisë dhe të Malit të Zi. Deri më tani numri i viktimave që humbën jetën nga tërmeti është tragjik, plotë 50 persona.
Në operacionet e kërkim shpëtimit morën pjesë grupe ekspertësh të huaj të ardhura nga Kosova, Italia, Greqia, Zvicra, Rumania, Mali i Zi e Serbia por dhe nga vende të tjera, të cilat ishin të pajisur me mjete dhe me logjistikë për t’iu ardhur në ndihmë personave poshtë rrënojave, njoftojnë mediat shqiptare.