Site icon Telegrafi

Pezullohen kërkimet për turistin belg i cili ka humbur në malet e zonës së Dibrës

Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se janë pezulluar kërkimet për turistin belg i cili ka humbur në malet e zonës së Dibrës.

Në njoftim thuhet se kërkimet janë pezulluar pasi nuk është gjetur asnjë gjurmë, transmeton Telegrafi.

“Më datën 18.09.2024 ShKShMK ka pranuar një thirrje për ndihmë nga autoritetet Shqiptare, për rastin e humbjes së një turisti në malet e zonës së Dibrës. I humburi është Mark Joris , 72 vjeçar, shtetësi Belge. Marku është nisur i vetëm për ecjen e një pjese të shtegut malor High Scardus Trail. Fatkeqesisht ka dy jave ka humbur çdo lloj kontakti me të afërmit e tij. ShKShMK me të pranuar thirrjen urgjente nga autoritetet Shqiptare dhe përfaqësuesit diplomatik të Belgjikës në Shqipëri ka filluar me mbledhjen, analizën dhe klasifikimin e informatave”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se me një koordinim të ngushtë me Policinë Shqiptare, përfaqësuesit e Interpolit, policinë Maqedonase, dhe Kërkim Shpëtimin Malor nga Maqedonia e Veriut ka filluar operacionin e kërkimit të personit të humbur, nga pika e fundit ku ka kontaktuar për herë të fundit.

“Kërkimi është zhvilluar në disa drejtime operacionale, duke përfshirë kërkimin nga ajri me helikopter, kërkimin me dron, këmbë dhe gjithashtu mbledhjen e informatave nga dëshmitarët përgjatë shtegut dhe vendeve të dyshimta”, vijon njoftimi

Më tej njoftohet se operacioni është zhvilluar në dy faza, dhe se përkundër që kërkimi ka qenë masiv dhe shumë i organizuar, nuk është hasur në ndonjë gjurmë të Markut.

“Operacioni pezullohet deri në mbledhjen e informatave të tjera. Për çdo lloj informate mos hezitoni të na kontaktoni (në post e gjeni të publikuar edhe fotografinë e personit të humbur)”./Telegrafi/

Exit mobile version