Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq është sulmuar sot në afërsi të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar vetë Petroviq gjatë një konference për media.
“Jam sulmuar fizikisht afër kësaj ndërtese, pasi që edhe ju e dini se muajve të fundit personalisht ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë që unë e udhëheq është bërë një fushatë e egër”, ka thënë Petroviq.
Ai ka shtuar se personi i cili e sulmoi është Milan Kostiq, këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.
“Në mëngjes isha mysafir në programin e mëngjesit në RTK, aty i kom paraqit disa të dhëna me ish ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallo. Pastaj kam hyrë në një restorant këtu afër Kuvendit për të pirë kafe me disa miq, dhe personi që më sulmoi ishte këshilltari i Rikallos, Milan Kostiq, i cili për ne të gjithë nga komuniteti serb është i njohur për të keq, pasi që i njëjti në mënyrë të pandërprerë disa vite me radhë në çdo mënyrë është munduar të deskriditoj mua dhe partinë që unë e udhëheq, duke shkruar tekste të rrejshme, dhe kjo nuk i mjaftoi, i njëjti i ka kërcënuar edhe njerëzit sidomos në zgjedhjet e fundit, të cilët kanë votuar me partinë Liberale Serbe”, u shpreh Petroviq, ku tregoi se Kostiq i kishte thënë se “do ta thyej kokën”, përderisa mbante në dorë një shishe të qelqit.
Petroviq tha se ky sulm nuk është i rastit, dhe se ata nuk mund ta frikësojnë.
“Kjo nuk është e rastit, dhe ato mendime që i kam thënë edhe publikisht, mund të më sulmojnë edhe fizikisht edhe të më vrasin, por unë nuk frikësohem”, tha Petroviq, i cili tregoi se për këtë gjë ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Ai tha se ka lutur presidentin Vuçiq që të ndërpres çfarëdo deklarate për të dhe të verifikoj faktet, pasi po flet vetëm me burimet e shërbimeve që i ka.
“Me atë shpresë i kam argumentuar se të gjitha ato janë vetëm mashtrime. Pas asaj letre kryetari i Serbisë nuk është paraqitur apo dëgjuar më, por ka pas veprime nga Lista Serbe, që janë udhëhequr nga drejtori i zyrës serbe për Kosovën, Gjuriq dhe të gjitha janë të pavërteta”, u shpreh Petroviq.
Ndërkohë në një reagim të Listës Serbe pretendohet se është pikërisht Milano Kostiq ai që është sulmuar nga ana e Sllobodan Petroviqit.
Kështu, siç thuhet ndër tjerash, Lista Serbe ka kërkuar që “policia dhe prokurorët të marrin të gjitha veprimet e nevojshme që Sllobodan Petroviq dhe Boban
Stankoviq të ndiqen dhe të dënohen, sepse kjo sjellje është absolutisht e papranueshme”. /Telegrafi/