Telegrafi

Petrovic: Platforma serbe e papranueshme

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, e quajti të ashtuquajturën Platformë të Serbisë për Kosovën, dokument që nuk përputhet me realitetin. Petrovic tha se një dokument i tillë, mund të ndryshohet.

“Nuk kam pasur mundësi ta shoh atë dokument dhe ajo që kam parë nëpër gazeta është diçka që nuk është reale dhe jam i sigurt se është diçka që do të ketë mundësi edhe për ndryshime dhe vet fakti që ky dokument që quhet platforma nuk është harmonizuar nëpër institucionet e Republikës së Serbisë, kemi pasur edhe deklaratën e kryeministrit të Serbisë”, tha Petrovic, transmeton RTK.

Ai tha se është përmbyllur me sukses procesi i decentralizimit në Kosovë, por nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të themelohen komuna të reja.

“Kjo nuk nënkupton se në të ardhmen e afërt mund të mos themelohen komuna të reja. Por ne duhet të kuptojmë se themelimi i komunave të reja po e humb kuptimin me aplikimin e formave moderne dhe alternative të komunikimit dhe kryerjes së shërbimeve”, u shpreh Petrovic.

Në vitin 2012, MAPL-ja ka realizuar 12 projekte në 7 sektorë ekonomik ndërsa në bashkëpunim me Komisionin Evropian është duke ndërtuar 13 godina administrative. Për të realizuar këtë mandat kjo ministri ka pasur në dispozicion 6. 350.000 euro dhe125 punonjës. /Telegrafi/