Aktivisti i shoqërisë civile dhe drejtori i organizatës FOL Petrit Zogaj ka denoncuar në polici kërcënimet që i janë bërë atij pas debatit të djeshëm në Info Magazine, përballë deputetit të Kuvendit të Kosovës Gëzim Kelmendi.
Temë e këtij debati ishte marshi për të drejtat e komunitetit LGBT. Klan Kosova ka siguruar shkresën zyrtare të cilën Zogaj e ka paraqitur në policinë e Kosovë. Në këtë denoncim Zogaj thekson se pas orës 18:00 në llogarinë e tij private në Facebook ka marrë kanosje dhe sharje, njofton Klan Kosova.
“Duke u thirrur në drejtën time për liri të shprehjes të garantuar me Kushtetutë, respektivisht nenin 40 të saj dhe bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, të cilat parashohin kanosjen si vepër penale, paraqes këtë denoncim në Stacionin e Policisë në lidhje me kanosjet/kërcënimet në fjale sepse ndihem i rrezikuar”, ka shkruar Zogaj në denoncim.