Pas ndalimit të hyrjes në Kosovë, që iu bë liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Petrit Selimi i ka ndaluar hyrjen edhe gjeneralit serb, Lujbisha Dikoviq.
Selimi në “Info Magazinë” në Klan Kosova ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se këta dy persona nuk kanë çfarë të kërkojnë në Kosovë.
“Dikoviq është person i padëshiruar për të hyrë në Kosovë. Edhe kryeministri Mustafa edhe ministrja Edita Tahiri janë të pajtimi ta rishikojnë një marrëveshje të vjetër, ku jepen leje për vizita qoftë fetare apo tjera, por kemi një keqpërdorim të këtyre vizitave pasi po shfrytëzohen për mesazhe ultra-nacionaliste,” ka thënë Selimi.
I pyetur se a vlen kjo edhe për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, Selimi tha se për çdo vizitë janë arsyeshmëritë individuale dhe se nuk duhet të ketë paragjykime./Telegrafi/