Site icon Telegrafi

Petrit Çarkaxhiu në një rrëfim mbi rock-un, arkitekturën dhe ringjalljen e skënës

Petrit Çarkaxhiu (Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Në mes të një tregu muzikor që pulson me ndryshime dhe rryma të reja krijative, disa artistë ngelen besnikë ndaj rrënjëve dhe pasionit të tyre të pathyeshëm. Petrit Çarkaxhiu, frontmeni i grupit legjendar rock Jericho, është një prej tyre.

Telegrafi pati kënaqësinë të bëjë një bisedë të thellë me Petritin, ku ai ndau hollësi mbi aktivitetin e tij aktual, përfshirë edhe fushën e arkitekturës ku ai vepron paralelisht me muzikën.

Në këtë intervistë, Petriti rrëfen për emocionet e të qenurit në dy botë të ndërthurura profesionalisht, sfidat dhe dinamikën e skenës rock në Kosovë, si dhe vizionin e tij për të ardhmen si artist. Ulesuni rehat dhe zhyteni në botën e një prej zërave më autentikë të muzikës rock shqiptare, teksa ai na jep një pasqyrë të rrugëtimit të tij deri më sot dhe atij që po vjen.

Petrit Çarkaxhiu (Foto: Petrit Çarkaxhiu/Instagram)

Telegrafi: Petrit, të kemi parë pak më të distancuar nga muzika kohëve të fundit. Ku jeni dhe çfarë jeni duke bërë aktualisht?

Petrit Çarkaxhiu: Kryesisht jam më i distancuar gjatë vjeshtës, përndryshe kam qenë mjaft aktiv me Jericho-n gjatë verës me pjesëmarrje në festivalet që organizohen në ambiente të hapura me prezencë më të madhe të publikut. Këtë vit ishim dëshmitarë të organizimit të festivaleve vërtet kualitative në anën teknike dhe organizative.

Sa i përket punës në projektin solo, vërtet këtë vit isha pothuajse fare i pranishëm me përjashtim të një koncerti me shumë domethënie për mua të organizuar nga miku im Rubin Beqo në Teatrin Metropol.

Telegrafi: Muaj më parë publikuat si Jericho këngën “Ali Pasha i Janinës”. Si u prit kënga dhe pse është e vetmja prurje e Jericho-s për vitin 2023?

Petrit Çarkaxhiu: Kënga është pritur shumë mirë, sidomos kur e marrim parasysh që është kënga e parë e Jericho-s e cila është e punuar në fuzion me folklorin e jugut të Shqipërisë. Akoma më tepër na gëzon fakti që kemi pranuar shumë reagime pozitive dhe përgezime për punën nga dëgjuesit nga qytetet e jugut të Shqipërisë. Kjo është e vetmja prurje pikërisht sepse ishte hera e parë që punuam diçka me polifoninë labe dhe i kushtuam punë dhe vëmendje më të madhe.

Grupi Jericho (Foto: Petrit Çarkaxhiu/Instagram)

Telegrafi: Cilat janë planet e tua si Petrit por dhe të Jericho-s në përgjithësi për vitin 2024? Do ju shohim më aktivë?

Petrit Çarkaxhiu: Sa i përket projektit solo, kanë mbetur edhe pesë këngë pa u publikuar dhe pa u përfunduar në studio. Shpresoj t’i realizojmë gjatë vitit që vjen. Jericho do të vazhdojë me këngët e reja në atë që e kemi titulluar “toskë rock” dhe kuptohet do të vazhdojmë të jemi aktivë edhe me live performancat.

Telegrafi: Si i përballon sfidat e të qenurit një këngëtar rock në një industri që ndryshon shpejt dhe cili është sekreti i qëndrueshmërisë në këtë zhanër?

Petrit Çarkaxhiu: Sekreti është që s’jemë pjesë e industrisë (qesh). Kemi refuzuar të bëjmë kompromise, në fakt as që e kemi ndjerë këtë nevojë dhe jemi shumë rehat me atë që bëjmë. Më e bukura këtu është që kemi mbështetjen e madhe të publikut që na ndjek e na motivon.

Petrit Çarkaxhiu (Foto: Petrit Çarkaxhiu/Instagram)

Telegrafi: Çfarë mendon për gjendjen aktuale të muzikës rock në Kosovë dhe çfarë sugjerimesh do të jepje për brezin e ri të muzikantëve?

Petrit Çarkaxhiu: Fatkeqësia është që shumë bende të gjeneratës sonë nuk janë aktive ndërsa ato që janë aktive me publikime dhe incizime në studio nuk janë aktive me koncerte live. Performancat live janë shumë të rëndësishme që puna e një bendi si dhe e gjithë skenës të mbijetojë.

Brezi i ri ka krijuar një skenë të veten e cila është akoma në “underground” dhe shpresoj t’i shohim në “mainstream” sa më shpejt ose edhe t’i shohim në një skenë alternative të pavarur e cila mund ta mbajë veten teknikisht dhe materialisht.

Telegrafi: Nga perspektiva e një profesionisti, çfarë mendimi ke për arkitekturën në Kosovë? Çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon?

Petrit Çarkaxhiu: Arkitektura është një disiplinë shumëdimensionale dhe ajo nuk funksionon e pavarur por gjithmonë në relacion me ambientin ku vendoset. Ky mentalitet i ndërtimit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri duhet të ndryshojë, përndryshe as që mund të pretendojmë që kemi arkitekturë.

Ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë qytete funksionale dhe të jetueshme. Kjo flet shumë për sociologjinë tonë. Qytetet shqiptare, rrjedhimisht arkitektura në qytetet tona, reflekton më së miri natyrën tonë improvizuese, spontane, fisnore apo klanore. Kjo ngre një pyetje fundamentale: A jemi ne të aftë për të ndërtuar qytetërim?

Grupi Jericho (Foto: Petrit Çarkaxhiu/Instagram)

Telegrafi: Ndërsa po afron fundi i vitit, a mund të ndash ndonjë nga synimet apo qëllimet që ke për vitin e ardhshëm si artist?

Petrit Çarkaxhiu: Mundësisht të jemi më shumë aktivë me regjistrime në studio dhe të publikojmë këngë të reja.

Telegrafi: Thënia juaj e jetës?

Petrit Çarkaxhiu: Shnet!

Telegrafi: Petrit, faleminderit shumë për intervistën. Për fund, cili do të ishte urimi yt për Vitin e Ri 2024 për lexuesit e Telegrafit?

Petrit Çarkaxhiu: I përshëndes të gjithë lexuesit dhe u uroj shëndet e mirësi. /Telegrafi/

Petrit Çarkaxhiu (Foto: Petrit Çarkaxhiu/Instagram)
Exit mobile version