Ekzistimi i përmbaruesve, respektivisht formimi dhe vendosja e sistemit të përmbarimit e arsyetoi ekzistimin e vetë dhe i kaloi të gjithë provimet në 10 vitet e kaluara, ka deklaruar sot kryetari i Odës së përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë, Zoran Petreski, me rastin e akademisë solemne për jubileun e 10-të, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Me këtë rast ai ka theksuar se sipas të gjithë faktorëve relevantë përmbarimi është një nga reformat më të suksesshme në sistemin gjyqësor. Petreski po ashtu ka theksuar se me Ligjin e ri për përmbarim i cili do të fillojë të zbatohet nga 20 gushti i këtij viti, do të zgjidhen të gjithë mangësitë dhe problemet që janë paraqitur në dhjetë vitet e kaluara.
Kryetari i OPRM ka theksuar se Ligji për përmbarim ofron efikasitet, zvogëlim të harxhimeve dhe mbrojtje të kategorive më të rrezikuara.
“Ligji për përmbarim ofron lehtësime për të gjithë pjesëmarrësit në përmbarim, duke filluar nga vetë përmbaruesit të cilët përfitojnë dispozita të qarta dhe të sakta për përmbarim. Përfitime do të ketë edhe për kreditorët, afatet e të cilëve shkurtohen, respektivisht, procedurat e shpejta dhe të sakta do të kontribuojnë për realizim më të mirë të përmbarimit dhe arritje më të shpejtë deri te kërkesa e tyre, ka thënë ai.
Ligji i ri për përmbarim, siç thotë ai më së shumti përfitime u ofron personave fizik – borxhlinj, të cilët do të jenë akoma më të mbrojtur. Atyre u ofrohet mundësi që në procedurë jashtëgjyqësore ti paguajnë kërkesat e tyre pa ngarkim me harxhime, u ofrohet mbrojtje në rast se kanë borxh komunal, respektivisht të mos u bllokohen llogaritë bankare, ka thënë Petreski.
Në akademinë solemne kanë marrë pjesë kryetarja e Unionit ndërkombëtar të përmbaruesve gjyqësor, Fransoa Andro, si dhe mysafirë nga Odat e përmbaruesve të Shqipërisë, Serbisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Në kuadër të jubileut, nesër do të mbahet konferenca ndërkombëtare me temë: „Rreziqet aktuale juridike dhe sfidat gjatë përmbarimit“./Telegrafi/