Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sonte se “eurodeputetja gjermane Viola von Cramon, është një promovuese e hapur e pavarësisë së Kosovës dhe e sulmon me ngulm presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq”.
Në një intervistë për Deutsche Welle, duke folur lidhur me deklaratën e Vuçiqit se Serbia nuk do ta njohë Kosovën derisa është president, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Von Cramon tha se nuk beson se kjo do të jetë fjala e fundit e presidentit serb.
Në këtë pikë do mbetesha optimiste, sepse edhe presidenti serb e di, se vetëm me një njohje të dyanshme e njohje të Kosovës ka një rrugë për në BE. Ai ka një interes të madh, që të ketë integrim të Serbisë në BE”, ka thënë Von Cramon, transmeton Telegrafi.
Petkovië përmes një komunikate, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se “Serbia, në kundërshtim me pretendimet e saj [Von Cramon], nuk kalkulon me çështjen e statusit të Kosovës, sepse qëndrimi i Serbisë, ndryshe nga ato që përfaqëson Von Cramon, është i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në vlerat evropiane”.
Ai deklaroi se “Von Cramon do të ushtronte funksionin e raportuesit të Parlamentit Evropian më me zell dhe ndershmëri nëse do t’ia kushtonte një pjesë të kohës dhe vëmendjes së saj rrezikimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe popullit serb në Kosovë, faktit se askush në terren nuk merret me ndjekjen penale të personave përgjegjës për vrasjet dhe rrëmbimet”.
“Edhe një herë, me zhgënjim të sinqertë, konstatoj se është dëm i madh për Parlamentin Evropian dhe për banorët e Kosovës që një funksion i tillë me përgjegjësi dhe potencialisht të dobishëm e ushtron një person i cili nuk është i gatshëm të bëjë punën e vet në mënyrë të sinqertë dhe në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane”, tha Petkoviq. /Telegrafi/