Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviq nga Graçanica ka uruar qytetarët serb për festën e Vidovdanit.
Përmes një postimi në Facebook, Petkoviq ka thënë se është bekim i madh për Graçanicën dhe popullin serb, që sot këtu gjendet edhe patriarku serb Porfirije.
“Është një bekim i madh si për Graçanicën ashtu edhe për popullin serb që këtu është patriarku serb Porfirije. Prania e shtetit tonë të Serbisë dhe kishës sonë tregon unitet të mishëruar në vendin tonë të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kishën tonë të udhëhequr nga Patriarku Porfirije. Është shumë i nevojshëm bashkimi dhe forca e popullit tonë në Kosovë”, ka deklaruar Petkoviq.
Ai më tej u ka bërë thirrje qytetarëve serb që të festojnë në mënyrë të qetë, duke shtuar se “provokimet sikurse më parë mund të vijnë nga Prishtina”.
“Provokimet, si herët e mëparshme, mund të vijnë ekskluzivisht nga Prishtina. I bëj thirrje popullit tonë që në mënyrë paqësore dhe dinjitoze ta shënojë Vidovdanin, sepse sot kujtojmë vdekjen e heronjve tanë të mëdhenj që dhanë jetën në mbrojtje të Serbisë dhe Ortodoksisë”, ka shkruar Petkoviq. /Telegrafi/