Kryeministri i Bullgarisë Kirill Petkov, sot para Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka folur në lidhje me veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se do të mbetet besnik në atë që e ka thënë më herët se “nuk do të ketë ndryshim derisa Kuvendi popullor i Bullgarisë të deklarohet për zhbllokimin e rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut”.
“Shpresoj se ditët e ardhshme Kuvendi popullor do të sjellë vendim për këtë çështje. Kemi moment historik për t’i mbrojtur të gjithë interesat e bullgarëve në afat të gjatë”, deklaroi Petkov para fillimit të Samitit.
Ai ju bëri thirrje deputetëve bullgar që mos tentojnë “t’ia hedhin pataten e nxehtë”, që ai vetë të sjellë vendim për propozimin francez për kontestin Shkup – Sofje.
Sipas Petkovit, gjatë gjithë periudhës së kaluar “çështja e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte mjegull e lëshuar në hapësirën publike, me vetëm një qëllim – të shkundë Qeverinë dhe të vidhen miliarda”.
Ai iu drejtua gjithashtu presidentit bullgar Rumen Radev, duke theksuar se ishte e papranueshme që ai nuk kishte mbledhur Këshillin Sigurisë Kombëtare për dy javë dhe vetëm është “fshehur në vende të ndryshme”./Telegrafi/