Kryeministri bullgar Kiril Petkov e uroi Dimitar Kovaçevskin për emërimin e tij si kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i uroi suksese Qeverisë së re në Shkup.
“Pres të punojmë së bashku për një dialog të ri konstruktiv dhe mirëkuptim në interes të marrëdhënieve tona dypalëshe, zhvillimi i të cilit është në dobi të madhe për qytetarët e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar kryeministri bullgar në Facebook.
Kryeministri bullgar theksoi se qëndrimi i Bullgarisë për perspektivën evropiane të fqinjit të saj të ngushtë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, është konsistent dhe i qartë. Sipas Petkovit, fqinjësia e mirë mund të sjellë përfitime serioze jo vetëm për të dyja vendet, por për të gjithë rajonin.
Kiril Petkov dhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga ai, nesër më 18 janar 2022 do të qëndrojnë për vizitë zyrtare në Shkup.