Telegrafi

Peticioni kundër shtrenjtimit të rrymës në Kuvend

Rreth 33 mijë nënshkrime kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i janë dorëzuar sot Kuvendit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komisionit për të drejta dhe liri të njeriut dhe barazi gjinore. Me këtë rast, përfaqësuesit e mbi 70 organizatave thanë se nëse kërkesat nuk merren parasysh do të ketë edhe protesta.

Këto nënshkrime janë mbledhur nga qytetarët e Kosovës, të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj shtrenjtimit të energjisë elektrike, duke kërkuar që çmimi i energjisë elektrike të reflektoj edhe gjendjen sociale dhe ekonomike të konsumatorëve.

Kurse, nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga Kuvendi, atëherë nuk përjashtohen edhe masa të tjera nga këto organizata duke përfshirë edhe protestat.

Arbëresha Bytyqi, përfaqësuese e Koalicionit të Qytetarëve Konsumatorë të Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare, tha se këto nënshkrime edhe njëherë dëshmojnë pakënaqësitë e qytetarëve të Kosovës.

“Sot Koalicioni i qytetarëve Konsumatorë dhe Sindikatave dhe Organizatave Joqeveritare ka dërguar në Komisioninpër të Drejta dhe Liri të Njeriut , Barazi Gjinore dhjetë peticione , peticionin e nënshkruar nga 33 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës i cili shpreh pakënaqësitë për rritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike. ….Ky peticion i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës …Mendoj që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk duhet të mohojë vullnetin e 33 mijë nënshkruesve të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Byqyti pohoi se do të ketë edhe aktivitete të tjera deri në zbritjen e çmimit të energjisë elektrike. “Kuvendi i Republikës së Kosovës nëse nuk e pranon peticionin dhe nuk merret me kërkesa e drejtuara me anë të peticionit, atëherë ne si grup i organizatave të cilat jemi mbledhur për t’i shprehur këto pakënaqësi nuk mohojmë se do të ketë edhe aktivitete të tjera të cilat do ta shprehin pakënaqësinë qytetarë duke përfshirë edhe protestën”, thotë Bytyqi.

Nënshkrimi i këtij peticioni ka filluar që nga shtatori i vitit të kaluar, ku janë përfshirë rreth 70 OJQ.

Ndryshe, këto organizata kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që në afat të paraparë ligjor, të shqyrtojë kërkesat e mbi 10 mijë qytetarëve për shqyrtim komplet të legjislacionit dhe vendimeve për tarifat e energjisë elektrike. /Telegrafi/