“Në Kosovë, qytetarët jetojnë në kushte të rënda sociale, ekonomike dhe në izolim. Me zgjedhjen e tyre si deputet, secili prej tyre ka marrë obligime që i takojnë një deputeti me Kushtetutë dhe ligje. Duke qenë se ata po dështojnë të kryejnë obligimet e tyre prej deputetëve atëherë më e pakta që mund të presim është që ata të mos paguhen për punën që po dështojnë ta kryejnë”, thuhet në përshkrimin e këtij peticioni.
Çështja e pagesave të deputetëve janë të rregulluara me ligje në fuqi, megjithatë duhet kujtuar faktin se deputetët e legjislaturës së gjashtë janë thirrur në gjashtë vazhdime që nga 3 gushti, derisa nuk po arrijnë të zgjidhin nyjën e kryeparlamentarit, shkruan Lajmi.net.
Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkundër se end s’kanë arritur ta përmbyllin seancën konstitutive tashmë kanë marrë shuma të majme parash, si rroga e mëditje.
“Ish-deputetët do të paguhen edhe për një vit”, ka shkruara ai.
“Deputetët vetëm se i kanë marr afër 170 mijë euro paga, ende pa filluar punën”, shkruan Demi, që këtë shumë të madhe parash e krahason me buxhetin e një komune në Kosovë.
“Për krahasim, buxheti vjetor për investime kapitale në Komunën e Kamenicës me 30 mijë banorë është 125 mijë euro”.