Këngëtari britanik, Pete Doherty, është liruar pasi kishte qëndruar dy ditë në paraburgim në Paris për shkak të përdorimit të drogës.
Këngëtari i grupeve “The Libertines” dhe “Babyshambles” ishte arrestuar të enjten mbrëma në kryeqytetin francez porsa kishte blerë kokainë.
Prokuroria ka kërkuar dënim me gjobë prej 5.000 eurosh ose dënim me burg. Kjo do të thotë se nëse nuk e paguan gjobën përfundon në burg.
Avokati i muzikantit ka thënë se Doherty, i cili ndodhet në një turne evropian, ka premtuar se do të mjekohet nga kjo vartësi.
Burimet nga policia u kanë thënë mediave franceze se Doherty kishte qenë i dehur dhe kishte përdorur kokainë, ndërsa i posedonte dy qese me këtë drogë.
40-vjeçari ka qenë rregullisht në ballinat e faqeve rozë, kryesisht për shkak të problemeve të tij me substancat narkotike, ndërsa me vitet të tëra ka probleme me autoritetet për shkak të alkoolizimit, narkomanisë dhe prishjes së rendit publik. /Telegrafi/