Kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq i është refuzuar leja për vizitë në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Leutrim Sahiti, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Në lidhje me pyetjet tuaja ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Sahiti.
Për refuzimin e vizitës së Petkoviqit në Kosovë, kanë shkruar edhe mediat serbe.
Sipas mediave serbe, Petkoviq gjatë kësaj vizite kishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.
Kjo nuk është hera e parë që Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë.
Petkoviq, i cili është drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, i ishte refuzuar hyrja në Kosovë edhe para disa muajsh./Telegrafi/