Site icon Telegrafi

Pëson Kosova, të dielën garon për vendin e tretë

Kosova ka pësuar humbje nga Armenia me rezultat 58:70 (8:18, 11:13, 18:7, 21:31), në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni C, që po zhvillohet në Prizren për meshkuj U16.

Basketbollistët e rinj të Kosovës kanë dhënë më të mirën e tyre në fushë dhe u angazhuan nga fillimi deri në sekondat e fundit, duke luftuar për çdo top, por përkundër dëshirës së madhe nuk ia arritën qëllimit që të kualifikohen në finale.

Armenët e nisën ndeshjen më mirë, duke e fituar çerekun e parë 8:18, ndërsa periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, ndërkohë, që kombëtaret shkuan në pushim me rezultat 19:32.

Dardanët ishin të jashtëzakonshëm në periudhën e tretë, duke shkrirë epërsinë e armenëve dhe me përkrahjen nga publiku u motivuan për të kaluar në epërsi 37:36, me dy pikë nga Yll Kastrati, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 37:39, ndërsa në këtë pjesë u lëndua Sejar Rama, që ishte i mrekullueshëm deri në ato momente. Në dhjetë minutat e fundit, armenasit ishin më të mirë dhe fituan 58:70.

Kosova të dielën do të garojë për vendin e tretë me humbësin e ndeshjes Andorra-Shqipëria, që është duke u zhvilluar.

Exit mobile version