Telegrafi

Pëson dëmtime memoriali i Skënderbeut në Lezhë

Memoriali i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti në Lezhë pikon në disa pjesë të tij.

Megjithëse u restaurua në vitin 2018, mbulesa e tij ka pësuar dëmtime duke sjellë për pasoje rrjedhjen e ujit.

Pergjegjësi i Muze Memorialit në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi, thotë se problematika ka nisur të shfaqet së fundmi dhe se firma zbatuese kishte dhënë garanci 15-vjeçare ndaj edhe së shpejti pritet ndërhyrja e tyre.

“Garancia ishte që 15 nuk do të ketë probleme çatia. Mirëpo, ka ndodhur akoma pa u bërë 5 vite, sa vjen e duke u agravuar, por kemi vënë re këtë vit, sidomos në muajin janar kur kishte reshje shiu, u vu re se në disa pika kishte rrjedhje uji e theksuar. Kur bie shi e bën të pamundur zhvillimin e aktiviteteve dhe kjo nuk është normale”, tha ndër të tjera Zefi për ABC news.

Pas identifikimit të situatës, Drejtoria Rajonale e Trashegimisë Kulturore në Shkodër ka ngritur grupin e punës për vlerësimin e gjendjes dhe problematikës dhe për të planifikuar ndërhyrjen. Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtoresha Besara Podgoria.

Problematika u vu në dukje gjatë aktiviteteve të mbajtura në përkujtim të 555 të vdekjes së Skënderbeut, dhe me këtë situatë u përball edhe Presidenti i Republikës në vizitën që zhvilloi në Lezhë në përkujtim të jetës dhe veprës së heroit tonë kombetar.