Telegrafi

Pësojnë defekt teknik pajisjet që ndihmojnë fluturaken të aterojë, aeroplani me 126 pasagjerë përplaset në aeroportin e Miamit – lëndohen tre persona

Një aeroplan brenda të cilit kishte mbi 100 pasagjerë, është përplasur derisa po tentonte të ateronte në aeroportin e Miamit, pasi pajisjet që ndihmojnë në aterim pësuan defekt teknik me të prekur në pistë.

Fluturakja u përplas në një ndërtesë të vogël dhe kullën e komunikimit, ku me “bark” përshkoi tërë pistën para se të përfshihej nga zjarri, transmeton Telegrafi.

Tre persona janë shtrirë në spital pas aksidentit, kurse në aeroplan gjendeshin 126 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit.

Administrata e Aviacionit Federal ka njoftuar se pajisjet për aterimin e fluturakes dështuan, dhe erdhi deri te përplasja.

Aeroplani ishte pjesë e flotës që është në pronësi të Red Air, një aviokompani e themeluar vitin e kaluar nga Republika Dominikane.

“Mendova se po vdes. Ishte një burrë i moshuar pranë meje që tërë kohën e përqafoja. Ishte një ndjenjë e tmerrshme. Po kërcenim nga njëri skaj në tjetrit dhe të gjitha dritaret u thyen”, tha Paola Garcia për CBS Miami. /Telegrafi/