Telegrafi

Peshku dhe ushqimet me bazë gruri mbrojnë nga astma

Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip studiuesish holandezë të "National Institute of Public Health and the Environment", të cilët kanë analizuar lidhjen që ekziston mes shfaqjes së astmës dhe sjelljeve ushqimore të 598 fëmijëve me moshë nga 8 deri 13 vjeç.

Pas analizimit të të dhënave të marra nga prindërit ka rezultuar, se nuk ekzistonte ndonjë lidhje e dukshme mes shfaqjes së astmës dhe konsumimit të disa ushqimeve si: fruta, perime dhe bulmetra, përveç peshkut dhe ushqimeve me bazë gruri. H. A. Smit, i cili ka drejtuar ekipin që punoi për këtë studim, ka shpjeguar për revistën "Thorax" se vështirësitë në frymëmarrje ishin verifikuar në gati 19.4% të fëmijëve që konsumonin rregullisht këto dy lloj ushqimesh.

Me fjalë të tjera, konsumimi i shpeshtë dhe i rregullt i ushqimeve me bazë gruri dhe peshku, është i lidhur me uljen e rrezikut për të shfaqur astmë dhe më konkretisht ky rrezik ulet nga 54% deri në 66%", ka përfunduar studiuesi holandez. /Telegrafi/