Një peshkatar i zhdukur, i cili ra nga varka e tij në brigjet e Brazilit, është gjetur në një “kovë” të shtyllës sinjalizuese.
Bëhet fjalë për 43-vjeçarin David Soares, i cili u shpëtua nga peshkatarët vendas, dy ditë pasi varka e tij u gjet e braktisur në Oqeanin Atlantik, transmeton Telegrafi.
Soares u tha mediave lokale se ra nga varka dhe notoi për katër orë derisa arriti në “kovë”. Ai arriti të ngjitej në shtyllë dhe priti ndihmën. Pasi mori ndihmën mjekësore për dehidratim, peshkatari iu rikthye punës.
Soares ishte nisur i vetëm nga plazhi Atafona në shtetin verior të Rio de Zhaneiros gjatë 25 dhjetorit për të peshkuar, por në një moment ai rrëshqiti dhe ra nga varka.
U përpoq të rikthehej në barkë me gjithë fuqinë e tij, por rryma ishte shumë e fortë, kështu që ai nuk mundi. Kur e kuptoi se plani i tij kishte dështuar, hoqi rrobat dhe vazhdoi të notonte.
“Uji ishte i trazuar dhe era po frynte. Vendosa ta lë rrymën të më transportonte për të harxhuar më pak energji”, tha peshkatari.
Pas katër orësh, arriti në shtyllën sinjalizuese pranë Acu dhe u ngjit në të. Pas dy ditësh, ai u pikas nga peshkatarët të cilët filluan ta kërkonin kur familja e tij e raportoi të zhdukur. /Telegrafi/