Site icon Telegrafi

Pesha nuk do të thotë gjithçka: Arbër Peci shpjegon se si të maturoni progresin e vërtetë në fitnes

Trajneri i njohur i fitnesit, Arbër Peci, ka dhënë një këshillë të vlefshme për ndjekësit e tij, duke u shpjeguar se pesha në peshore nuk është gjithmonë një tregues i saktë i progresit trupor.

Ai shpjegon se shpesh, ndonëse pesha mbetet e njëjtë, ndryshimet trupore janë evidente.

Siç thotë ai: “Pesha juaj nuk ka ndryshuar? Mos u shqetësoni! Shpesh klientët më thonë: ‘Kam një muaj që stërvitem dhe kujdesem për ushqimin, por pesha ime nuk ka ndryshuar!’ E vërteta është se peshorja nuk tregon gjithmonë të gjithë historinë”.

Një shembull i tillë është klienti i tij që humbi 3 kg yndyrë dhe shtoi 3 kg muskuj, dhe siç shpjegon Peci, “Rezultati? Pesha ka mbetur e njëjtë, por trupi i tij duket krejt ndryshe. Rrobat qëndrojnë më mirë, muskujt janë më të tonifikuar dhe vetëbesimi është rritur ndjeshëm”.

Ai e thekson se “Muskujt dhe yndyra janë të ndryshëm. Muskujt janë më të dendur dhe zënë më pak hapësirë, kështu që ndonëse pesha është e njëjtë, trupi duket më kompakt dhe në formë.”

Peci gjithashtu shpjegon se muskujt djegin më shumë kalori dhe “me rritjen e masës muskulore, edhe metabolizmi përmirësohet, duke ndihmuar që të digjni më shumë kalori gjatë gjithë ditës”.

Ai këshillon që, për të matur progresin, të mos mbështetemi vetëm te peshorja: “Ndryshimet trupore, energjia dhe ndjesia e përgjithshme janë tregues shumë më të vlefshëm”. /Telegrafi/

Exit mobile version