Telegrafi

Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare po zbehet nga viti në vit, edhe blegtoria në krizë

Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare po zbehet nga viti në vit.

Kontributi i saj këtë vit është 2% më i ulët se një vit më parë, duke arritur në 16.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa sektorët që po marrin hov në ekonomi janë ndërtimi dhe turizmi.

Në tremujorin e dytë, bujqësia u rrit me 0.16%, ndërsa për të njëjtën periudhë një vit më parë ra me 0.04%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ky ishte tremujori i 8-të radhazi që sektori qëndron në vendnumëro.

Ndonëse çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur dhe kërkesa nga jashtë për prodhime shqiptare është e lartë, prodhimi nuk u është përgjigjur zhvillimeve të kohës. Të dhënat nga tregu sugjerojnë se dobësitë më të mëdha po shfaqen në sektorin e blegtorisë, ku rënia e numrit të krerëve ka qenë e fortë.

Në vitin 2024, numri i bagëtive në vend shënoi rënie me mbi 12%. Blegtoria është dega e dytë më e rëndësishme e bujqësisë, dhe rënia e saj ndikon në gjithë sektorin bujqësor.

Ndërkohë, zhvillimet kanë qenë pozitive në sektorin e serrave, ku çmimet e larta të eksportit kanë nxitur zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella. Nga ana tjetër, zhvillimet klimatike me një pranverë me shira dhe mot të ftohtë, si dhe korrikun shumë të nxehtë, kanë dëmtuar frutat dhe prodhimin bujqësor në fusha këtë vit.

Sektori bujqësor po përballet me emigrimin të lartë të forcës punëtore jashtë vendit dhe drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë, ku pagat janë më të mëdha.