Talenti i shqiptarëve tashmë është i dëshmuar në çdo sferë, dhe jo më kot sukseset e tyre sot janë të pasqyruara deri në nivelet e larta botërore.
Zbulimi i hershëm i talentit që në fëmijëri, duket se është çelësi për një rrugëtim të suksesshëm jetësor, me trajtimin e talentit që në moshë të hershme.
E kur jemi te fëmijët, brezi i ri që tashmë i përket gjeneratës së teknologjisë – të shumtë janë të vegjlit që po befasojnë gjithnjë e më shumë me të kënduarit, aktrimin apo komunikimin e tyre.
I tillë është Lis Shala, djaloshi vetëm pesëvjeçar, i cili që në moshë të hershme ka filluar të flasë rrjedhimisht gjuhën angleze.
Aftësia e tij në komunikim dhe për të mësuar shpejt u vu re që në moshën 3 vjeç e gjysmë, kur prindërit e tij u fokusuan që t’i mësojnë atij sa më mirë gjuhën amtare së pari, e më pas edhe atë angleze duke parë interesimin e shprehur nga ai.
Sigurisht që teknologjia dhe trendët bashkëkohore kanë ndikuar që fëmijët në ditët e sotme ta mësojnë më shpejtë këtë gjuhë, teksa Lisi i vogël duket të jetë nga ata persona që përveç ndikimit,ka arritur që edhe falë talentit ta kapë me shpejtësi mësimin e kësaj gjuhe.
Në këtë video shihet se si ky 5 vjeçar flet rrjedhimisht këtë gjuhë dhe u përgjigjet të gjitha pyetjeve në anglisht të drejtuara nga nëna e tij.
Dëshira e Lisit të vogël është që në një të ardhme të afërt, të mësojë edhe më shumë gjuha të tjera. /Telegrafi/