Jessica Penoe nga Arizona e Shteteve të Bashkuara, kishte mbetur e shokuar kur para derës së shtëpisë së saj u shfaq një djalosh pesëvjeçar i fqinjëve të saj, i cili mbante në duar motrën pesëmuajshe që e kishte mbështjellë me batanije.
Djaloshi Salvadore Chikalese, kishte marrë motrën e tij dhe kishte trokitur në derën e fqinjëve duke u thënë se kanë mbetur jetim, pasi nëna e tij kishte rënë pa vetëdije derisa po bënte tush, transmeton Telegrafi.
“Po qëndronte para derës duke mbajtur në duar diçka që në fillim më ngjante me një kukull”, ka deklaruar Jessica.
“Më tha se ‘nëna ime ka vdekur. A mund të kujdeseni për ne?’”, ka shtuar ajo.
Jessica menjëherë i kishte telefonuar autoambulancës që e kishte gjetur nënën e djaloshit pa vetëdije në tualet, por që për fat të mirë ishte ende gjallë.
Kathlynn Chikalese kishte pësuar sulm dhe kishte humbur vetëdijen derisa po bënte tush, kurse djaloshi trim duke menduar se i kishte vdekur nëna kishte vrapuar për të kërkuar ndihmë.
“Më ka shpëtuar jetën. Po të mos kishte shkuar për të kërkuar ndihmë, sigurisht se do të isha e vdekur”, ka deklaruar Kathlynn duke shtuar se i biri vazhdimisht e pyet nëse do të jetë mirë apo do të vdesë.
Vogëlushi ka marrë mirënjohje të veçantë nga departamenti i zjarrfikësve për trimërinë që e kishte treguar.
Zëdhënësi i zjarrfikësve Sean Gileland, ka thënë se ky është një shembull i shkëlqyer se si prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët e tyre, dhe t’u shpjegojnë se si duhet të sillen në raste të tilla.
Megjithatë, në familjen Chikalese thonë se kurrë më parë nuk kanë biseduar me birin e tyre Salvadore, dhe se ai kishte ndjekur instinktin. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=iQ8l6UwS9qo