Site icon Telegrafi

Pesëfishohen të pasurit në Shqipëri

56% e shqiptarëve të rritur kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë për frymë, thotë Credit Suisse në raportin më të fundit për pasurinë globale. Një vit më parë, kjo normë fiksohej në rreth 59%.

Po ashtu ka rënë ndjeshëm edhe norma e atyre që kanë një pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë, pra ata që konsiderohen si shtresa e mesme. Një vit më parë, këta të fundit ishin 42% e popullsisë, ndërsa sot 40%.

Kjo do të thotë se, është fryrë shtresa e të pasurve. Sipas të dhënave të Credit Suisse, ata që kanë nga 100 mijë deri në 1 milion dollarë pasuri janë rritur nga 0.3% e popullsisë një vit më parë, në 1.6% të popullsisë.

Përkthyer në terma më të thjeshtuar, ndërkohë që një vit më parë këta të fundit numëroheshin në vetëm 6500 persona, këtë vit, sipas Credit Suisse, numërohen në rreth 34 mijë, pra në rritje me 5 herë në vetëm 1 vit.

Mesa duket, rritja e pasurisë së shqiptarëve me 54%, për të cilën flet Credit Suisse, e ardhur kryesisht nga fryrja e pasurive të paluajtshme, ka ndodhur vetëm mes të pasurve, raporton Scan Tv.

Të dhënat tregojnë qartë se në harkun e një viti pabarazia është rritur ndjeshëm pasi të varfrit dhe shtresa e mesme janë tkurrur, ndërkohë që janë pesëfishuar të pasurit. /Telegrafi/

Exit mobile version