Site icon Telegrafi

Pesë vjet të fuqizimit të sektorit privat në Kosovë

Në pesë vjetorin e Fuqizimit të Sektorit Privat në Kosovë, drejtoresha e USAID në Kosovë, Lisa Magno, foli për shënimin e sukseseve të aktiviteteve të këtij misioni në Fuqizimin e Sektorit Privat, i cili filloi në vitin 2014.

USAID-i nisi projektin e Fuqizimit (EMPOWER) të Sektorit Privat për të ndihmuar bizneset në zgjerimin dhe përmirësimin e kapaciteteve për shitje në tregje ku është identifikuar kërkesa për produkte të tyre, si dhe në rritjen e eksportit dhe të fituarit nga ana e punëtorëve të shkathtësive për të qenë konkurrent në treg.

Projekti EMPOWER, sektori privat i USAID-it është përmbyllet me sukses, duke krijuar 5109 vende të reja pune dhe mbi 101 milionë dollarë në eksporte të produkteve të bëra në Kosovë.

Drejtoresha e misionit USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, u shpreh e lumtur me arritjen e vendit tonë për pesë vjet punë në sektorin privat, pasi prodhimet e Kosovës janë ndër më të kërkuarat në tregun ndërkombëtar.

“Kur arrita këtu dy vite para se të fillojë projekti EMPOWR, unë mund t’i numëroja në gishta numrin e kompanive të gatshme për eksport jashtë rajonit, ndërsa pesë vite më vonë më shumë se 120 kompani janë të gatshme për të eksportuar. Njeriu ndihet i vogël kur e sheh këtë arritje të kompanive. Kompanitë ndërkombëtare e shohin Kosovën si burim i produkteve të veta që pastaj i shesin me brendinë e vet si Max mara, Dolce Gabbana, pra po blejnë nga Kosova. Bizneseve kosovare tani po iu drejtohem duke thënë se ka qenë me të vërtetë një krenari që të bashkëpunoj me ju”, tha Magno.

Drejtori i projektit EMPOWER, Skender Rama, tha se për ta dëshmuar suksesin e kompanive kosovare për punën pesë vjeçare, kanë ndërtuar një shtëpi para hotel “Emerald”, e cila është e mbushur me produkte kosovare dhe të cilat eksportohen në mbi 50 vende të botës.

“Për EMPOWER kjo është një ngjarje e rëndësishme dhe përderisa jemi duke shënuar përmbylljen e një aktiviteti që sjell shumë kënaqësi dhe të cilin e kemi dashur shumë, jemi po aq të ngazëllyer dhe krenar që mund të ndajmë me ju të arriturat dhe rezultatet e shumta që ka realizuar EMPOWER gjatë kësaj periudhe. Ne vendosëm ta ndërtojmë një shtëpi të mirëfilltë para hotelit “Emerald”, dhe ta mbushim me produkte kosovare, si simbol të potencialit të madh të sektorit privat në Kosovë dhe e quajmë Shtëpia e bërë në Kosovë dhe kjo shtëpi u montua për një ditë dhe u mobilua për një orë. Qind për qind e produkteve të ekspozuara aty janë të prodhuara nga prodhuesit kosovarë. Shumë prej këtyre produkteve eksportohen nga Kosova në më shumë se 50 vende të botës”, tha Rama.

Rama tha se synimi i tyre ka qenë të mbështesin sektorët që kishin më shumë potencial për rritje, si sektori i përpunimit të drurit, veshmbathjeve, teknologjisë, energjisë e shumë të tjerë.

Në kuadër të shënimit të pesë vjetorit të projektit EMPOWER, “GreenHouse SHPK” ka ndërtuar një shtëpi përball hotel “Emerald”, në mënyrë që të promovohen produktet kosovare.

E krejt puna pesë vjeçare për zhvillimin e sektorit privat, u prezantua përmes një video-dokumentari të EMPOWER.

Ndryshe, projekti EMPOWER është financuar edhe nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar. /kp/

Exit mobile version