Telegrafi

Pesë vjet e gjysmë burgim për të akuzuarin për bixhoz e fajde

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit A.L për veprat penale Organizimi i skemave piramidale dhe të bixhozit të paligjshëm dhe fajdeja.

I akuzuari A.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik prej 5 vjet e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 10.000 euro, në të cilin do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 27.09.2016.

Në njoftimin për media thuhet se të akuzuarit po ashtu i janë konfiskuar aparatet për zhvillimin e lojërave të fatit, vetura Mercedes ngjyrë e zezë dhe vetura Alfa Romeo ngjyrë e kaltër e mbylltë si dhe shuma e parave në vlerë prej 4.653 euro dhe 3 dollarë.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari A.L që nga viti 2009 e deri në kohën kur është arrestuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kishte bërë organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove apo lojërave të fatit, po ashtu kishte dhënë shuma të ndryshme të parave me fajde duke fituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të mëdha të parave ndaj shumë personave të dëmtuar.

Të akuzuarit i është vazhduar paraburgimi  me aktvendim të veçantë deri në plotfuqishmërinë e  aktgjykimit.