Telegrafi

Pesë të vdekur pas të shtënave me armë zjarri në Karolinën e Jugut

Pesë persona, duke përfshirë tre fëmijë, janë gjetur të vdekur pas të shtënave me armë zjarri në një shtëpi në Karolinën e Jugut, thonë zyrtarët lokalë. Mes të vrarëve është edhe vrasësi i dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të martën kur policia u ftua të intervenonte në një shtëpi në Whitetail Circle në Sumter.

Një deklaratë nga Departamenti i Policisë i Sumter-it konfirmoi se pesë persona u vranë gjatë të shtënave, duke përfshirë tre fëmijë dhe dy burra të rritur. Identiteti i tyre nuk u bë i ditur menjëherë, raporton abcnews.

“Tre fëmijë dhe dy burra, njëri prej të cilëve besohet se është ai që ka qëlluar, janë gjetur të vrarë”, njoftoi policia.

“Nuk ka asnjë kërcënim për publikun dhe oficerët e Departamentit të Policisë Sumter. Hetimet po vazhdojnë”, shtuan ata.

Ndryshe, detaje të tjera rreth të shtënave nuk janë bërë të ditura për momentin. /Telegrafi/