Site icon Telegrafi

Pesë të vdekur nga stuhia e fuqishme në Greqi, mes tyre edhe foshnja që u raportua e zhdukur

Çaste tragjike po përjetojnë banorët e krahinës se Evias, pas valës se motit të keq të quajtur “Thaleia” e cila po godet Greqinë ditët e fundit.

Të paktën pesë persona ndërruan jetë nga stuhia e fuqishme të dielën, në mesin e tyre edhe një foshnje tetëmuajshe e cila u raportua e zhdukur.

Grupet e shpëtimit që kanë shkuar në zonë për të ndihmuar banorët raportojnë për katastrofë biblike. Deri në mesditën e së dielës janë regjistruar mbi 3000 shtëpi të përmbytura dhe po evakuohen me ndihmën e helikopterit dhjetëra banorë që ndodhen të izoluar në tarracat e shtëpive, të rrethuara nga uji që ka përmbytur çdo gjë.

Lexo po ashtu Dy të vdekur nga një stuhi e fuqishme në Greqi, zhduket një foshnjë

Në operacionin e shpëtimit që ende vazhdon për banorët e tjerë në disa fshatra dhe komuna të zonës së Evias dhe Halkidhes marrin pjesë 83 zjarrfikës me 31 mjete, tre barka dhe një helikopter Super Puma.

Kryeministri grek po ndjek me vëmendje situatën dhe informohet për operacionin e grupeve të shpëtimit dhe evakuimin e banorëve.

Sipas raportimeve nga zona një pjesë e madhe e rrugëve dytësore janë të përmbytura, ndërsa në disa komuna është ndërprerë energjia elektrike. /KP/

Exit mobile version